Sot shqiptarë të mëdhenj, dje fëmijë të paditur

Në strehën e fundit të horrave, po paketohen edhe patriotët e vonuar të Vetëvendosjes, të cilët, ligjëruan dhe sollën si shpikës të shqiptarëve, çështjes shqiptare dhe interesit shqiptar. Këtë paketim, nuk mund të mbetej jashtë as patrioti me nam, Zijadin Sela, duke vlerësuar përkrahësin e kandidaturës së Blerim Rekës, Albin Kurtin si shqiptarin e madh.

Demagogjia është art i demagogëve, të tillë kemi përplot politikën që bëhet në Maqedoni, por, ajo bëhet më interesante kur shtohen primesat e nacionalizmit folklorik.

Nuk ka dilemë se arritjet e shqiptarëve deri këtu, nuk u bënë me lutje as fraza boshe e demagogji, por punë, përkushtim dhe sakrificë.

Lufta e UÇK-së, ishte e tillë. Kur sheh “trimat”, sot të kapardisen si gjeli maje plehu e mendon, vallë ku ishin këta njerëz kur bëhej fjalë për ekzistencën shqiptare. Ku ishte Blerim Reka, apo i dukej i pamundur vizioni që ngrihej nga tyta e pushkës. Njëjtë, mund të pyesim, ku ishte Zijadin Sela dhe Albin Kurti, mos vallë ishin të mitur aso kohe.

Sot, kur të pamundshmen e djeshme, BDI e bëri të mundshme sot, kapacitetet e demagogëve janë rritur, nuk ju mjaftojnë të arriturat, duan ta sjellin situatën e zhbërjes së të arriturave, pra, më nuk mjafton Kryekuvendari, ministritë dhe organet tjera drejtuese nga shqiptarët, e zbuluan se Maqedonisë së Veriut i duhet edhe një president shqiptar. Ide e mirë.

Realisht, thotë politika, duhet të synoni të pamundshëm, për të arritur të mundshmen. BDI nuk mund të bëhet satelit i ideve të mira dhe devijimit të rrugës së nisur, duke marrë për bazë, idetë e shqiptarëve të mëdhenj, sepse, jeton dhe zhvillohet me këmbë mbi tokë, jo në hava.

BDI merr të mundshmen nga e pamundshmja, nuk do të ndalet, por, nuk duket se është limiti Blerim Reka. Sepse, para se të instalohej programi Ahmeti-Zaev, në Qeveri, jo të gjitha mund t’i merrte, lideri ynë.

Do të ishte e mirë, e mirëseradhur, e mirëpritur, por, konfiguracioni politik, nuk imponon këtë mundësi, për president shqiptar. Për shumë arsye. Sepse, rreziku nga bashkimi i elementit maqedonas, mund të veprojë çdo minutë, dhe nga kafshata e madhe, të mos mbetej asgjë.

Do parë, edhe vlerësuar kryetari i Kuvendit. Por, si duket, shqiptarët e mëdhenj pa asnjë kontribut ndaj shqiptarisë, provojnë të hedhin hi syve dhe eksploatojnë strehën e fundit të horrave.

Proceset euro-integruese nënkuptojnë vështirësi dhe sfidë në shumë fusha, në veçanti demagogët ndëshkohen, sepse, kërkohen rezultate e jo fjalë. Kandidatit të përbashkët qeveritar Stevo Pendarovski, sjell fitore për Republikën e Maqedonisë së Veriut, fitore për NATO-n dhe Bashkimi Evropian.

BDI mund ta djeg këtë mundësi me eksluzivitet nacional, por, çfarë fitore do të jetë kjo. Blerim Reka, si shqiptar, domosdo do të ishte i dëshirueshëm, por, në renditjen e brendshme dhe të jashtme, nuk kalon. Sepse, nuk kalon projekti i deritashëm që eci mbi tehun e shpatës. Këtë rast, për të instaluar forcën e vet brenda institucioneve të shtetit, BDI-së do t’i shkoj për shtati suksesi, me marrëveshjen sikur ajo për gjuhën shqipe, si një gur themelor i fitores.

Merrni me mend, nëse këta shqiptar të mëdhenj, do të ishin kaq të mëdhenj kur ju duheshin shqiptarëve dhe popullit shqiptar, në tri fronte, asnjëri nuk ia bëri bam. Pas luftës, gjeneralë sa të duash.

Redaksia