Stjuart: Për investitorët australianë, më e rëndësishmja është transparenca

Maqedonia ka potencial të jetë selia e kompanive australiane që dëshirojnë të punojnë me rajonin më të gjerë për shkak të vendndodhjes së saj në EJL. Në të njëjtën mënyrë, Australia mund të jetë një vend i shkëlqyer për kompanitë që duan të krijojnë bashkëpunim biznesi me rajonin Indo-Paqësor, tha në një intervistë me MIA-n Ruth Stjuart, ambasadore jo-rezidente e Australisë për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi me seli më Beograd.

“Intensifikimi i lidhjeve tregtare dhe investuese për ne do të ishte i mirëseardhur. Marrëdhëniet dypalëshe të tregtisë dhe investimeve për momentin janë modeste, kështu që ka mundësi për zhvillim. Diaspora Maqedonase-Australiane siguron një bazë solide për ndërtimin e lidhjeve më të mira tregtare. Vendndodhja juaj në Evropën Juglindore ka potencial të jetë selia e kompanive australiane që dëshirojnë të punojnë me rajonin më të gjerë, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për prodhim, logjistikë apo shërbim. Në të njëjtën mënyrë, Australia mund të jetë një vend i shkëlqyer për bizneset që duan të krijojnë bashkëpunim biznesi me rajonin Indo-Paqësor”, thotë ambasadorja Ruth.
Sipas saj, në tërheqjen e investitorëve australianë, është e rëndësishme që vendi të krijojë politika të forta që janë të hapura për investime të huaja direkte.

“Për investitorët australianë, më e rëndësishmja është transparenca e punës dhe konsistenca në zbatimin e rregullave dhe rregulloreve. Australia po negocion një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në. Anëtarësimi juaj në të ardhmen do t’ju lejojë të përfitoni nga kjo marrëveshje dhe ne me gëzim e presim këtë”, thotë Ruth.

Ajo gjithashtu në intervistë fokusohet edhe në rolin e diasporës maqedonase, e cila vlerësohet të ketë rreth 100,000 anëtarë, rrënjët e të cilëve datojnë më shumë se 100 vjet më parë. Ambasadorja Ruth flet për lidhjet dypalëshe midis dy vendeve që do të shënojnë 25 vjetorin vitin e ardhshëm, si dhe për marrëveshjen historike të Prespës për të zgjidhur mosmarrëveshjen për emrin për 27 vjet, për të cilën qeveria australiane i përshëndet kryeministrin Zaev dhe kryeministrin Cipras.

“Meritat i përkasin të dy qeverive. Pozitive është përshtypja e progresit të arritur nga të dy palët dhe ne i inkurajojmë të gjithë ata që janë të përfshirë në proces të vazhdojnë të punojnë me sukses në rrugën e përzgjedhur drejt anëtarësimit në BE dhe në NATO. Australia pret me gëzim që marrëveshja e Prespës të miratohet”, thotë ambasadorja Stuart.