Terroristët rrëmbejnë 60 fëmijë në Somali

Terroristët e organizatës Al Shabaab kanë rrëmbyer 60 të mitur në jugperendim të Somalisë. Mediat lokale theksojnë se fëmijët u janë marrë prindërve në rajonin El-Garas në Bakula.

Guverneri Muhammed Moalim Ahmed tha se terroristët rrëmbyen fëmijët për t’i stërvitur ata për t’i bërë ushtarë që t’i përdorin në sulme.

Ahmed shtoi se ende nuk dihet vendi se ku janë dërguar fëmijët.

Somalia është një vend që shtrihet në bririn e Afrikës, i cili me një popullsi prej 12 milion banorësh është një nga dhjetë vendet më të varfra në botë. Sidomos për shkak të thatësirës, rreth 6.2 milionë njerëz në Somali janë të varur nga ndihma ushqimore humanitare, kurse ndihmë urgjente humanitare kanë nevojë 2.9 milion njerëz në vend.

Sipas raporteve të Kombeve të Bashkuara (OKB), në periudhën midis viteve 2010 dhe 2012, 260 mijë njerëz vdiqën nga thatësira dhe varfëria në Somali, kurse bilanci aktual supozohet të jetë dukshëm më i lartë. Thatësira ishte fatale për bujqësinë dhe bagëtinë në Somali.

Konfliktet e brendshme dhe terrorizmi janë probleme që edhe më shumë rëndojnë shoqërinë somaleze, kurse terroristët e Al Shabaab shpesh rrëmbejnë konvojet humanitare dhe ndihmat nuk arrijnë deri te nevojtarët.