Tetova në vendin e dytë sipas numrit të ankesave drejtuar Avokatit të popullit

Më shumë se 370 ankesa nga Tetova janë parashtruar në zyrën e Avokatit të popullit në vitin 2017. Dhjetë përqind e ankesave të përgjithshme kanë të bëjnë me pushtetin lokal. Qytetarët më së shpeshti ankohen për planet detajuara urbanistike, ndotjen, shërbimet komunale, tatimin në pronë – informojnë nga organizata joqeveritare “Infoqendra”. Ata, në bashkëpunim me Avokatin e popullit Ixhet Memeti dhe komunën e Tetovës, sot organizuan një debat publik në komunë, që synon forcimin e bashkëpunimit mes Avokatit të popullit dhe pushtetit lokal, shkruan Meta.

Kemi njohuri se qeveritë lokale nuk janë aq transparente dhe efikase në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe nuk i përfshijnë aq shumë qytetarët në proceset vendimmarrëse. Duhet të ketë komunikim të shpeshtë dhe të dykahësh mes qeverisë lokale dhe Avokatit të popullit, – doemos duhet të bashkëpunojnë, që të ndërmerren masa parandaluese në këtë kontekst”, tha Biljana Bejkova, drejtoreshë ekzekutive e OJQ-së “Infoqendra”.

Ndërsa kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, pohon se qeveria lokale dhe Avokati i popullit deri tani kanë bashkëpunim të mirë institucional.

“Nga 12 ankesa që i kemi pranuar deri tani, 10 kanë të bëjnë me çështjeve që ndërlidhen me pagesa dhe 2 deri te shërbimet e inspektimit. Niveli i bashkëpunimit është solid dhe planifikojmë të vazhdojmë kështu edhe në të ardhmen,” deklaroi Arifi.

Problemi më i madh për funksionimin e pamjaftueshëm në relacionin pushteti lokal- Avokati i popullit, sipas Memetit është fakti se qytetarët ende nuk kanë njohuri për të drejtat e tyre dhe për këtë arsye nuk e dinë se kur duhet të drejtohen te Avokati i popullit, lidhur me problemet që janë në kompetencë të vetëqeverisjes lokale.

“Mungon promovimi, komunikimi dhe transparenca e institucioneve lokale me qytetarët. Shkupi ka më shumë se 1.500 ankesa në vit, ndërsa Tetova 300 deri në 500. Qytetarët duhet të vijnë më shpesh për të kërkuar mbrojtje në lidhje me problemet që janë në kompetencë të komunave. Qytetarët nuk i dinë mjaftueshëm as kompetencat e vetëqeverisjes lokale. Gjithashtu, nuk ka edhe efikasitet e efektivitet te administrata lokale në drejtim të informimit të qytetarëve”, theksoi Avokati i popullit Ixhet Memeti.