Thaçi: Ushtria është punë e kryer, e mbështesin vendet më të fuqishme të botës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për media para takimit të liderëve të Ballkanit në Bruksel.

Ai ka thënë se Ushtria e Kosovës është punë e kryer, ka marrë mbështetjen e fuqishme prej vendeve më të fuqishme të botës.

“Themelimi i Ushtrisë së Kosovës për ne është punë e kryer, ka marrë mbështetjen e fuqishme prej vendeve më të fuqishme të botës.

Ka marrë janë mbështetje edhe para fillimit të punës së seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së edhe nga tetë vende të Bashkimit Evropian që dolën publikisht me deklaratën e tyre të përbashkët në mbështetje të së drejtës sovrane të Kosovës për themelimin e ushtrisë”, ka thënë ai.

Ai tha se edhe gjatë punimeve të këshillit të Sigurimit ishte një mbështetje shumë e fuqishme prej të gjitha vendeve që janë pjesë e angazhimeve për liri dhe pavarësi.

“Dëshiroj të falënderoj të gjitha këto vende, SHBA-të, Britaninë e Madhe, Francën, Poloninë, Kuvajtin dhe vendet e tjera të cilat I dhanë mbështetje të fuqishme në këtë drejtim, por tek e fundit ky është një vendim i Kosovës, i të zgjedhurve të popullit të vendit, i institucioneve të vendit.

Prandaj, tani duhet vetëm të fokusohemi në zhvillimin e Ushtrisë së Kosovës, profesionalizimin.

Ushtria e Kosovës ka qenë, është dhe do të mbetet në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnik, në gjithë territorin e Kosovës, dhe duhet të fokusohemi në hapat e mëtutjeshëm për NATO, për procesin e partneritetit për paqë dhe integrimin në NATO”, ka thënë mes tjerash presidenti.

Prandaj, thotë Thaçi se themelimi I Ushtrisë është punë e kryer, e aksceptuar edhe në rrafshin ndërkombëtarë, tani mbetet përgjegjësia jonë të punojmë edhe më tepër.