U përcoll në amshuemshmëri muhafizi jonë shumë i respektuar, Mulla Mahmud ef. Asllani.

Më 22.06.2021 (e martë), i dhamë lamtumirën doajenit të muhafizëve, i cili pas vete la afër 200 hafizë. Xhenazja e merhumit u përgatit në shtëpinë e tij, ku në ceremoninë e varrimit, përveç Myftiut të Tetovës, Prof. Dr. Qani ef. Nesimi me shokët dhe hoxhallarët e Tetovës, morën pjesë: Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Reis-ul Ulema, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, Myftiu i Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili, Myftiu i Kumanovës, Abedin ef. Imeri, Myftiu i Kërçovës, Qamil ef. Rushiti, Myftiu i Shtipit, Mr. Nasir ef. Rexhepi, dekani i FSHI-së, Prof. Dr. Shaban ef. Sulejmani, drejtori i përgjithshëm i Medresesë “Isa Beu”, Ibrahim ef. Idrizi, përfaqësuesi i Bashkësisë lslame të Kosovës, Reshat ef. Mexhiti, Atasheu pë çështje fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Shkup, Mustafa ef. Mesten, bashkëpuntorët e Rijasetit, bashkëpuntorët e myftinive, hoxhallarët, hafizët, imamët e qytetit dhe rajoni, familjarët, miqtë dhe mysafirët nga Kosova.
Ceremonia filloi në shtëpinë e hoxhës, ku u lexuan suret e shkurtëra nga familjarët e merhumit, ndërsa duanë e xhenazes e bëri nxënësi/hafizi i tij, Prof. Dr. hfz. Metin ef. Izeti. Pas duasë imami i xhamisë së Pashës, gjegjësisht edhe nipi i hoxhës, Hfz. Abdylbaki ef. Kasami, mori hallallëk dhe pastaj xhenazja u bartë në xhaminë e Pashës.
Në xhami për hirë të shpirtit të hoxhës, u këndua qelimeteuhidi dhe disa ashere nga Atasheu dhe Ibrahim ef. Beqiri nga Ferizaji dhe në fund u bë duaja nga ish Myftiu i Tetovës, Mr. hfz. Nexhadi ef. Limani.
Pas faljes së namazit të iqindisë, Myftiu i Tetovës foli për vlerën dhe veprimtarinë e hoxhës së nderuar Molla Mahmudit, duke e lutur Allahun fuqiplotë që ta shpërblej me xhennet. Pas fjalimit të Myftiut, pasuan fjalët përshëndetëse të Dekanit të FSHI-së dhe përfaqësuesit të BIK-ut. Fjalën e rastit e mbajti Kryetari i BFI-së, Reis-ul Ulemaja, i cili foli për punën dhe sakrificën e hoxhës, duke e lutur Allahun që ta shpërblej me shpërblimet e Tij të pafundta. Namazin e xhenazës ia fali djali i tij, hfz. Zylqyfli ef. Asllani.
Hoxha i nderuar u varros në varrezat e vjetra të qytetit. Pasi u lexuan suret nga nxënësit/hafizët e tij, duanë e bëri ish Myftiu, Alifekri ef. Esati, ndërsa në fund talkinin ia bëri ish kryeimami i Myftinisë, Mr. hfz. Ejup ef. Selmani.