Ujdi për kandidatin e përbashkët për president, Ahmeti: Ka vullnet që të arrihet marrëveshje

Partitë e Koalicionit të udhëhequra nga LSDM-ja, në takimin e së dielës arritën marrëveshje në nivel të liderëve, të qëndrojnë pas një kandidati të përbashkët për president të shtetit, si dhe bashkërisht të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, që në raundin e parë, informojnë nga LSDM-ja.

Prej LSDM-së thonë se është dakorduar të vazhdojnë konsultime të gjera në suaza të vetë partive, që janë pjesë e koalicionit, për zgjedhjen e kandidatit të përbashkët më adekuat për president të shtetit në interes të qytetarëve.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, në emër të Koalicionit, do t’i vazhdojë konsultimet me partitë e bllokut shqiptare si dhe me parti të tjera parlamentare dhe joparlamentare, nga pushteti dhe opozita, rreth mundësive të zgjidhet kandidat i përbashkët për president shteti, kandidat pas të cilit do të qëndrojnë qytetarët.

Në anën tjetër, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në një intervistë për RTK-në me rastin e 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës theksoi se ai e shtriu dorën për bashkëpunim me opozitën shqiptare për kandidat të përbashkët shqiptar, por për fat të keq, dy partitë opozitare e kanë refuzuar.

“Të hënë do të ketë takim të partnerëve të koalicionit. Ne qëndrojmë në parimin tonë për president të shtetit me marrëveshje midis palëve të cilat kanë legjitimitet, do të thotë të palës shqiptare dhe maqedonase. Ka vullnet që të arrihet marrëveshje, por kjo varet prej palëve të cilat do të takohen të hënën”, ka theksuar Ahmeti.