VATRA DHE SHTETI I KOSOVËS NDERUAN MËSUESIT QË HAPËN SHKOLLAT SHQIPE NË KOSOVË NDUE ZEF MARKAJ DHE PRETASH ZEF KAÇAJ

Sokol PAJA

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe shteti i Kosovës nderuan dy mësuesit legjendarë që hapën shkollat shqipe në Kosovë, Ndue Zef Markaj-Reçi dhe Pretash Zef Kaçaj. Në një ceremoni madhështore në Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me pjesëmarrjen e dhjetëra familjarëve, miqve, të ftuarve, vatranëve, patriotëve të spikatur në diasporë, personaliteteve të komunitetit, mediave shqiptare në Michigan, mësuesit e pendës e të pushkës u vlerësuan për kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillim të mësimit shqip, shkollës e kulturës, identitetit e trashëgimisë së shkëlqyer të popullit e kombit shqiptar. Në një ceremoni patriotike të zhvilluar në Imperial House, nën përkujdesjen e veçantë të Gjergj Markajt dhe Gjon Kaçajt, të gjithë të pranishmit mbetën të impresionuar nga roli dhe kontributi i jashtëzakonshëm që dy mësuesit Ndue Zef Markaj-Reçi dhe Pretash Zef Kaçaj kanë dhënë për shkollën shqipe në Kosovë e në vise të tjera të Shqipërisë.
Ceremonia e nderimit filloi me himnin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Shqipërisë të kënduara nga Mikela Nonaj. Kryetari i Vatrës Elmi Berisha shpalosi për të pranishmit peshën që dy mësuesit kanë pasur në Kosovë, Kryetari i Vatrës dega Michigan Mondi Rakaj foli rreth rëndësisë së figurave dhe personaliteteve në arsimin shqip, ndërsa nënkryetari i Vatrës Alfons Grishaj sqaroi pozicionin e Vatrës në raport me zhvillimet e kohës në Shqipëri e Kosovë duke theksuar rolin patriotik dhe kombëtar që ka luajtur e do luajë gjithmonë Federata Vatra. Në ceremoninë e nderimit Gjon Kaçaj shpjegoi për të pranishmit aspejte të veçanta dhe të panjohura më parë nga jeta e dy mësuesve. Në takim përshëndetën edhe Luigj Stërbyqi si sekretar i Shoqatës Dukagjini, Prek Camaj si ish-student i Kolegjës Franceskane në Shkodër dhe Nikollë Pepaj bashkëveprimtar i Presidentit Rugova. Në ceremoninë e përkujtimit dhe nderimit ishte shumë emocionues recitimet nga Kejsi Markaj dhe Roberta Markaj. Ceremonia e nderimit e moderuar prej Editorit të Diellit u përmbyll nga Gjergj Markaj i cili falenderoi të gjithë pjesëmarrësit në ceremoninë madhështore të nderimit të mësuesëve Ndue Zef Markaj-Reçi dhe Pretash Zef Kaçaj.
Mirënjohjen për familjen Markaj e tërhoqi Dr. Zef Markaj, ndërsa për familjen Kaçaj, Gjon Kaçaj.

Nderimi nga Vatra dhe shteti i Kosovës

NDUE ZEF MARKAJ – REÇI (Pas vdekjes) dhe PRETASH ZEF KAÇAJ (Pas vdekjes) u nderuan me MIRËNJOHJEN E ARTË:
“Për kontributin intelektual e atdhetar dhe humanizmin e pashembullt të treguar në ushtrimin e profesionit dhe misionit të tij fisnik si mësues dhe patriot në hapjen e shkollave shqipe në Kosovë. Në vlerësim të veprës së tij të lartë patriotike për zhvillimin e arsimit, kulturës, gjuhës e shkollës shqipe në trojet shqiptare”.

“Nderimi i mësuesëve të pendës e të pushkës”

Ndue Zef Markaj-Reçi – U shkollua në Liceun Françeskan “Illyricum”. Zotërues i Latinishtes dhe Italishtes. Ishte përkthyes për të plagosurit gjatë luftës nac-çlirimtare në spitale. Nga perkthyes ikuadrohet në Brigadën 24 sulmuese. Në dhjetor 1945 bashkohet me 42 arsimtarë vullnetarë për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë në zonat e Suharekës, Pejës, Trestenikut, Brudisale e në veçanti hapi shkollen në Kraçevën e Epërme të Gjilanit nga ku ashtë larguar në vitin 1947 ku edhe sot mbahet komunikimi i familjes Markaj-Reçi me stafin e shkollës. Sapo u kthye në Shqipëri e burgosin në Koplik me akuzën agjitacion e propogandë kundër instalimit të diktaturës dhe lirohet me kushtin e përhershëm: mësues në zonat e thella malore dhe paraqitje të detyrueme një herë në muaj në postën policore. Nga viti 1992 ka qenë kryetar i veteranëve të luftës Malësi e Madhe.

Pretash Zef Kaçaj –U shkollua në Liceun Françeskan “Illyricum”. Zotërues i pesë gjuhëve të huaja. Gjatë luftës antifashiste nac-çlirimtare ka qenë përkthyes i të plagosurve nëpër spitale. Nga përkthyes ka kaluar në Brigadën 24 sulmuese nga ku bashkohet me 42 mësues vullnetarë për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë duke dhënë mësin klasëve nga e pesta deri tek e teta në lëndët matematikë, gjuhë, histori e gjeografi në shkollat: Suharekë, Pejë, Trestënik, Budisale….etj. Nga Dhjetori 1945 deri në Mars 1947 dhe nga muaji shtator 1847 ishte i emëruar sekretarë në komunën e Ulqinit dhe arrestohet në Dhjetor të këtij viti kur ishte kthyer për festat me familjen. E burgosin në burgun e Koplikut duke i dhënë dënimin me kusht: mësues në zonat e thella malore dhe detyrim paraqitje në postat policore dy herë në muaj. Mbas që e detyronin me dhënë mësim në klasa kolektive që nga Pajajt në Rrjollë në Malësi e deri në Mirditë i ndodhi edhe ajo që priste: E arrestuan para nxanësve në Kalivaç të Mirditës tre agjentë policorë dhe pasi e prangosën e kthyen mbas 10 orë ecje në burgun e Lezhës dhe mbas tre muajve e dërguan në burgun e Shkodrës ku i komunikuan masën e i nternimit pa afat në Bënçe Tepelenë.