Veprimet e Thaçit të rrezikshme për Kosovën dhe kufijtë e saj si dhe për paqen e sigurinë në rajon…

Kosova vazhdon të jetë e ngërthyer nga debati lidhur me pezullimin ose jo të tarifave për mallrat që vijnë nga Serbia. Bashkësia ndërkombëtare është shprehur hapur për pezullim të saj si një masë e domosdoshme që do t’i hapte rrugën rifillimit të bisedimeve mes dy vendeve. Lidhur me këtë çështje “Zëri i Amerikës” bisedoi mezotin Arben Gashi deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ndodhet në Shtetet e Bashkuara me rastin e ceremonisë së përvitshme të “Mëngjesit kombëtar tëlutjeve” që zhvillohet në Washington dhe që mbledh së bashku udhëheqës botërorë politikë e fetarë, personalitete të jetës sociale e fushës së biznesit, për të nderuar besimin dhe miqësinë. Zoti Gashi foli edhe rreth idesë së hedhur nga presidenti i Kosovës për korrigjim të kufirit me Serbisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Gashi Kosova aktualisht po përballet me mjaft trysni ndërkombëtare për të pezullar tarifat me Serbinë. Ka ndasi të forta edhe brenda klasës politike në vend mbi këtë çështje. Cili është qëndrimi i LDK-së mbi këtë çështje? Kryetari i partisë suaj ka thënë se tarifat ishin justifikimi për dështimin e qeverisë, por nuk e keni thënë shprehimisht, nëse duhet apo jo që tarifat të pezullohen?

Arben Gashi: Qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i shumicës së njerëzve që mendojnë dhe veprojnë politikisht në Kosovë është se taksa e vendosur ndaj Serbisë është një masë administrative që ka patur për qëllim edukimin e shtetit serb lidhur me raportet dhe veprimet ndaj shtetit të Kosovës. Meqënëse kemi hyrë në një faqe kritike ku partnerët tanë ndërkombëtar kërkojnë që kjo taksë të pezullohet ose të hiqet e tëra, derisa jemi në një proces bisedimesh dhe negocimi me republikën e Serbisë, kemi krijuar një situatë të tensionuar, sepse kemi sjellje të kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë që është një sjellje individualiste, për protagonizëm politik, për konsum të brendshëm politik, që ka shkuar përtej një limiti të caktuar dhe po dëmton raportet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare dhe sidomos me SHBA-në. Prandaj ne si parti mendojmë se kryeministri po sillet si protagonist për të fituar pikë politike dhe për të mbuluar probleme e brendshme politike dhe jo si udhëheqës që duhet të marrë përgjegjësi në arenën ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Pra ju thoni se duhet pezulluar, por si ndodh kjo?

Arben Gashi: Po, por është një vendim i qeverisë që duhet të ndërmerret prej saj. Institucioni që e ka vendosur këtë taksë është qeveria e Kosovës dhe është i njëjti institucion që duhet ta pezullojë përkohësisht për t’i dhënë mundësi bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmarrë veprime të cilat janë në favor të interesave të Kosovës si dhe për të reklasuar raportet e insitucioneve të vendit me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra edhe kryetari i LDK-së zoti Mustafa, por edhe ne si deputetë të LDK-së kemi kërkuar që të ruhen raportet e rëndësishme të miqësisë me SHBA-në dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Kjo taksë të konsiderohet si një instrument që mbron interesat e Kosovës dhe si e tillë, përderisa kemi hyrë në fazën ku po rrezikohen interesat e Kosovës, duhet të pezullohet për t’u krijuar një momentum ku me koordinimin e bashkësisë ndërkombëtare të mund ta rikthejmë.

Zëri i Amerikës: Zoti Gashi ju me të drejtë thoni se ky është një vendim që i takon qeverisë së Kosovës, ajo e vendosi ajo duhet dhe ta pezullojë. Fakt është se qeveria e Kosovës, me saktë kryeministri nuk po e bën dhe qeveria është e ndarë mbi këtë çështje. Çfarë mund ta zgjidhte këtë situatë, zgjedhjet e parakohshme, riformatimi i qeverisë, çfarë mendon LDK-ja?

Arben Gashi: Zgjedhjet e parakohshme janë jo për taksën, janë si një mundësi për daljen nga kriza politike në përgjithësi. Pra ne jemi në një krizë politike. Kemi një qeveri jo përfaqësuese dhe kemi dhe një qeveri të pakicës sepse në koalicionin qeverisës tashmë kemi rreth 50 deputetë përkrahës të këtij koalicioni dhe normalisht për një qeverisje, minimalisht do të duhej të ishte përkrahja e 61 deputetëve. Dhe ky është problem i rëndësishëm i cili është vërejtur vitin e fundit në kuvendin e Kosovës, sepse shumica e vendimeve nuk kanë kaluar përveç rasteve kur ka pasur një vullnet prej partive të opozitës që kanë përkrahur çështje që janë me interes strategjik për vendin. Në këto rrethana mendoj se taksa nuk është elementi kryesor që çon vendin në zgjedhje.

Zëri i Amerikës: Por është një nga elementët, pasi është çështje e debatit të sotëm dhe që po bllokon një proces të rëndësishëm për vendin, sikurse janë bisedimet me Serbinë.

Arben Gashi: Po dhe po dëmton interesat e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare dhe Shtetet e Bashkuara. Kosova duhet të sillet me përgjegjësi në këto raporte sepse ne jemi një vend i vogël dhe nuk kemi luksin që të prishim raportet me partnerët tanë strategjik. Fakti që ne e pezullojmë taksën nuk do të thotë që ne i nënshtrohemi veprimeve të Serbisë, por krijojmë një raport reciprok me bashkësinë ndërkombëtare për të ecur në drejtim të veprimeve paqësore në rajon.