Vitin e kaluar janë shqiptuar mbi 3.500 gjoba për parkim të gabuar në Tetovë

Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë informon se mbi 3.500 dënime dhe masa tjera për parkim të parregullt dhe të gabuar ka shqiptuar policia në rajonin e Tetovës gjatë vitit të kaluar.
Ata thonë se automjeteve të parkuara në mënyrë të gabuar në pajtim me nenet 63 dhe 66 nga Ligji për siguri të komunikacionit rrugor u janë përgatitur urdhër pagesa me ç’rast gjoba ka lëvizur prej 45 deri në 180 euro në kundërvlerë të denarit ose shënim të pikëve negative prej 25 deri në 40.
“Automjetet e parkuara gabimisht që janë lënë në vende të palejuara dhe e kanë penguar lëvizjen normale dhe të sigurt të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion janë marrë nga karrotreci dhe janë transportuar në vend të caktuar në qarkun e njësitit të zjarrfikësve në Tetovë”.
“Numri më i madh i këtyre kundërvajtjeve janë për parkimet në vendkalimet për këmbësorë, në trotuare, në sipërfaqe të gjelbra, në udhëkryqe, ura dhe vende tjera”, thonë nga SPB Tetovë.
Gjatë muajit janar të këtij viti numri i përgjithshëm, i kundërvajtjeve në krahasim me parkimet e gabuara arrin 273, ndërsa nga policia paralajmërojnë rritje të aktiviteteve të kontrolleve për muajin shkurt në rajonin qendror të Tetovës dhe veçanërisht në bulevardet “Marshal Tito” dhe “Ilindenska”.