Vizitë ngushëlluese e Reisul Ulemasë në Gostivar

Gjatë ditës së sotme, Reisul Ulema i BFI, h. Sulejman ef. Rexhepi vizitoi në Gostivar familjet e viktimave të aksidentit tragjik të Llaskarcës. Ai, i shoqëruar nga Muftiu i Gostivarit hfz. Shaqir ef. Fetahu, Muftiu i Shkupit mr. Qenan ef Nesimi, Muftiu i Tetovës prof. dr. Qani ef. Nesimi, Muftiu i Luginës së Preshevës dhe nënkryetar i Bashkësisë Islame të Sërbisë, Nexhmedin ef. Saqipi, si edhe nga një grup bashkëpunëtorësh të ngushtë, ua shprehu familiarëve ngushëllimet e veta, të BFI dhe të gjithë muslimanëve për humbjen e të afërmve të tyre.

“Zoti n’a ka krijuar të gjithëve dhe , heret a vonë, të gjithë do kthehemi te Ai. Kjo jetë është vetëm një fazë kalimtare drejtë përjetësisë andaj këtë mysafirllëk tonin duhet t’a jetojmë duke e plotësuar shpirtin me besim e dashuri ndaj Krijuesit tonë…”, tha me këtë rast Reisul Ulema Rexhepi duke u lutur që Allahu xh.sh. të shpërblejë me xhenet njerëzit që humbën jetën në këtë fatkeqësi kurse familarëve të tyre t’ju jep durimin që të përballen me humbjen e të dashurve të tyre.

“Jam i vetëdijshëm për dhembjen e juaj që po ju përvëlon por besoj dhe shpresoj se vizitat e miqve sadopak do ju ndihmojnë të përballeni me këtë tragjedi. Jemi me ju dhe përherë me ju do jemi vëllezër…”, thanë Reisul Ulema dhe shoqëruesit e tijë gjatë këtyre vizitave.

Poashtu, gjatë qëndrimit në Gostivar, Reisul Ulema Sulejman ef. Rexhepi dhe bashkëpunëtorët e tijë vizituan dhe e ngushëlluan edhe familjen e deputetit të LSDM, Bllagojçe Tërpevski i cili në aksidentin e ndodhur në Llaskarcë humbi të birin.