Vriten tre persona në Prishtinë

Tre persona humbën jetën të hënën në Prishtinë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti. “Sot rreth orës 13:20, policia ka marrë informacionin për vdekje të dyshimtë në rrugën ‘Bill Clinton’ në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Nga informacionet e para në vendin e ngjarjes, dyshohet se nga arma e zjarrit janë vrarë tre persona”. “Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht, njësitet policore janë duke punuar në sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me rastin”, tha Ahmeti.