Xhevat Ademi për InfoAlb: Sot, u dëshmua vitaliteti i shqiptarëve

Në këtë ditë të shënuar për popullin shqiptar, kur u miratuan ndryshimet kushtetuese, kontaktuam me veprimtarin e hershëm të çështjes kombëtare, udhëheqësin e UÇK-së dhe drejtuesin e lartë në Republikën e Maqedonisë nga radhët e BDI-së, Xhevat Ademin, duke kërkuar nga ai një prononcim.

Çfarë dite ishte sot për Juve?

Sot ishte një ditë e gjatë dhe e begatë, ditë që në historinë e re të shtetit të Maqedonisë por edhe shqiptarëve, do të shënohet me shkronja të arta. Sepse, pas më shumë se dy decenie, hiqet dilema se nga po shkojmë si shtet. Hiqet dilema për të ardhmen tonë se ku do të jemi nesër. Nga sot, ne kemi qartësuar rrugën tonë, me mirëkuptim dhe vullnet demokratik. Pra, sot ne i kemi thënë po BE-së, i kemi thënë Po NATO-s, i kemi thënë po fqinjësisë së mirë dhe mirëkuptimit ndërfqinjësor.
Nga sot, ne jemi përcaktuar për vlerat finale që na presin, vlerat integruese euro-atlantike. Ne sot i thamë po të ardhmes tonë, brenda familjes së madhe demokratike, vlerës së barazisë, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe standardeve më të larta shtet ndërtuese.

Jam i lumtur që u bëmë dëshmitar të realizimit të kauzës tonë, për të qenë pjesë e vlerave të BE-së she NATO-s, aty ku kombi shqiptar aspiron me krejt qenien. Shqiptarët sot e rikonfirmuan vitalitetin e vet në skenën politike të Maqedonisë, pas Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, duke qenë thelbësisht progresiv dhe brenda interesave dhe qëllimeve euro-atlantike. Shfrytëzoj rastin të përgëzoj të gjithë qytetarët e Maqedonisë, në veçanti shqiptarët, për këtë ditë, të shënuar në historinë e re, jo vetëm të Maqedonisë por edhe të shqiptarëve në tërësi.