Yulia Tymoshenko paralajmëron kandidaturën presidenciale

Ish kryeministrja e Ukrainës Yulia Tymoshenko ka thënë sot se do të kandidohet në zgjedhjet presidenciale.

Sipas sondazheve Tymoshenko (58), kryeministre e Ukrainës prej vitit 2007 deri 2010 është favorite në zgjedhjet presidenciale në Ukrainë të cilat do të mbahen më 31 mars.

Ajo ka kaluar dy vjet e gjysmë në burg për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes së gazit me Rusinë, mirëpo ky aktgjykim kryesisht konsiderohet si hakmarrje e rivalit të saj politik, presidentit të atëhershëm Viktor Yanukovych.

Tymoshenko i ka humbur zgjedhjet prej Yanukovychit në vitin 2010 dhe prej presidentit të tanishëm Petro Poroshenko në vitin 2014. Poroshenko ende nuk e ka shpallur formalisht kandidaturën.

Duke folur në kongresin e partisë së saj në Kiev, Tymoshenko ka premtuar se do ta kthejë kontrollin mbi Krimen dhe në rajonet kryengritëse në lindje të vendit.