Zaev: Prioritet i Trajkovskit ishin qytetarët dhe interesat e shtetit

Vdekja e papritur e presidentit Boris Trajkovski para 15 viteve na mori një burrështetas të madh, bashkëshort shumë të dashur, baba, vëlla dhe mik, bashkëqytetar i cili me energji të jashtëzakonshme, këmbëngulje, mençuri dhe durim, e kryente funksionin më të lartë në shtet, tha kryeministri Zoran Zaev në fjalimin e tij në Mëngjesin e parë të lutjeve “Lidership i bazuar në vlera”, që u mbajt sot në bashkëpunim me Fondacionin ndërkombëtar të Boris Trajkovskit, me rastin e 15 vjetorit të vdekjes tragjike të Trajkovskit.

Bota, vuri në dukje Zaev, u përball me faktin se në atë moment pikëllimi ishte shuar jeta e burrështetasit Trajkovski i cili ishte plotësisht aktiv, me pjekuri inspiruese politike dhe vazhdimësi politike që lanë gjurmë të thella dhe të pashlyeshme në historinë e shtetit të pavarur modern të Maqedonisë së Veriut.

Sipas Zaevit, Trajkosvki i përkiste gjeneratës së politikanëve të rinj evropianë, i cili në fokusin e kujdesit të tij dhe përkushtimit i kishte demokratizimin e mëtutjeshëm të shoqërisë, respektimin e të drejtave të njeriut, përforcimin e shoqërisë qytetare, zhvillimin e ekonomisë së tregut, sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit.

“Boris Trajkovski e kryente detyrën e tij si president në një periudhë jashtëzakonisht të rëndë për vendin tonë. Tundimet me të cilat përballej drejtë dhe me guxim, në asnjë moment nuk e lëkundën. Detyrën e tij si President i të gjithë qytetarëve dhe si komandant suprem e kryente me vulë të fuqishme personale, me këmbëngulje dhe përkushtim të fortë drejtë parimeve universale, më të larta etike dhe njerëzore, në të cilat besonte pa hamendje dhe në të cilat ishte i bindur thellë se janë zgjedhja më e mirë”, tha Zaev.